Hapu dhe Luaj!
Të dashur miq e lojtarë,
Këtë vit për herë të pestë po vendosim fushë-lojën: qytetin, hapësirën publike. Të luash nuk është aktivitet i kohës së lirë. Të luash është të mësosh e të përjetosh. Duke luajtur, ne e vëmë vetveten në këndvështrime të ndryshme. Eksplorojmë dhe zbulojmë fushë-lojën tonë: vetveten dhe shoqërinë. Shumë shpesh, luajnë me ne apo edhe ne luajmë, por kjo nuk quhet lojë dhe nuk është perfomancë. Për këtë përdoren emërtime shumë më ‘serioze’ si sfera publike, debati publik, hapësira publike.
Sivjet, HAPU po e zgjeron fushë-lojën edhe në Fushë Kosovë. Në HAPU ju ftojmë të hapeni e të luani me ne. Jo se duam të ju argëtojmë, por se të luash nuk është luks, është një mënyrë për të kuptuar më mirë qenien tonë, të tjerët dhe shoqërinë. Është argëtuese gjithashtu!
Kemi luajtur edhe me mozaikun e programit dhe po hapemi me akrobatët e Un Loup Pour l’Homme, të cilët i shtyjnë kufijtë e tyre fizikë në lojën, në të cilën vazhdimisht i rishpikin rregullat. Këta akrobatë do të luajnë me aktorët tanë, edhe para Festivalit, për të sjellë në Kosovë këto shkathtësi të reja dhe për të gërvishtur kështu këto përvoja të reja të cirkut bashkëkohor për të ardhmen. Donika Rudi do të luajë për ne kompozimin e saj të rrugëtimit muzikor nëpër nëntë fazat e jetës.
HAPU sivjet gjithashtu do të jetë fushë-lojë e Asphalt Piloten nga Zvicra, duke luajtur me këndvështrime përmes përdorimit të trakës ngjitëse dhe trupave të performuesve. Në kënde tjera të hapësirave publike, çukapikët robotë të Marco Barottit do të performojnë ritme daullesh audio – vizuele, duke e reinterpretuar kësisoji lojën tonë me komunikim mobil dhe teknologjinë pa tela. Fitore Berisha ka shpikur një formë tjetër të luajtjes – kërkimin për artin e fshehur. Në “The Snowball Effect”, protagonist janë anëtarët e publikut, ata i hapin rrugë lojës me artistët, derisa publiku është vëzhgues. Duke luajtur lojën e komunitetit na fuqizohemi e pasurohemi në shumë aspekte.
Festivalin HAPU po e krijojmë si rezultat i pozitës sonë si lojtar kuptimplotë në mesin e partnerëve tanë në IN SITU. Kjo “lojë” evropiane është përpjekje dhe përvojë shumë e frytshme. Lojtarët evropianë po e takojnë publikun kosovar, ndërsa ata kosovarë po e takojnë publikun evropian. Prandaj, HAPU dhe luaj me ne, me artistët, me bashkëqytetarët.
Florent Mehmeti, Drejtor Artistik, HAPU – Festivali i Artit në Hapësirë Publike
IN SITU është Platforma evropiane për krijimtari artistike në hapësirë pubilke. Që nga viti 2003, kjo platformë ka mbështetur më se 200 artistë që veprojnë përtej lokacioneve konvencionale dhe që i japin kontribut transforimit të territoreve tona. IN SITU është ekosistem që lidh një brez të ri artistësh me publikun, me programues e me lojtarë kyçë të përfshirë në realitetet ekonomike, politike dhe sociale anembanë Evropës. IN SITU zhvillon një ekologji të krijimtarisë, të bazuar në punëtori e laboratore artistike trans-nacionale, rezidenca evropiane e ndërkombëtare dhe mentorim kolektiv të pilot-projekteve artistike. IN SITU gjithashtu zhvillon konsulenca specifike dhe ekspertizë për qytete evropiane, module trajnimi online (MOOC) dhe një ‘Think Tank’ që i kushtohet krijimtarisë artistike në hapësira publike.
IN SITU udhëhiqet nga Lieux publics – qendër nacionale dhe evropiane për krijimtari artistike në hapësira publike (Francë), dhe bashkon 20 partnerë nga 12 shtete: Artopolis Association / PLACCC Festival (Hungari), Atelier 231 / Festival Viva Cité (Francë), CIFAS (Belgjikë), Čtyři dny / 4+4 Days in Motion (Çeki), FAI-AR (Francë), Freedom Festival (Mbretëri e Bashkuar), Kimmel Center (Shtetet e Bashkuara), Metropolis (Danimarkë), La Paperie (Francë), La Strada Graz (Austri), Les Tombées de la Nuit (France), Lieux publics (Francë), Norfolk & Norwich Festival (Mbretëri e Bashkuar), Teatri ODA (Kosovë), Theater op de Markt (Belgjikë), On the Move (Belgjikë), Østfold kulturutvikling (Norvegji), Oerol Festival (Holandë), Terni Festival (Itali), UZ Arts (Mbretëri e Bashkuar).
Që nga viti 2018, IN SITU Cloud mbledh anëtarë të ri të asociuar në IN SITU.
IN SITU ACT 2016 – 2020 bashkëfinancohet nga Programi ‘Creative Europe’ i Bashkimit Evropian.
www.in-situ.info