Të lëvizësh qytetin!
Të nderuar miq,
Edhe këtë vit po vendosim pikënisje të lëvizjeve tona në hapësirat publike të qytetit të Prishtinës. Po vazhdojmë eksplorimin tonë të pashterur në kërkim të pikave që provokojnë nisjen në lëvizjen tonë të përbashkët me qytetin. Me këto lëvizje do të përjetojmë së bashku eksplorimin e limiteve dhe ndryshimin e këndvështrimit të qytetit tonë. Duke lëvizur do të takohemi, do të bashkë-krijojmë, bashkë-bisedojmë e bashkë-ndjejmë dhe do të bashkë-lëvizim. Lëvizja e qytetit do të na prodhojë imazhet e lëvizura të transformuar në një film që për rol kryesor ka banorët e këtij qyteti dhe vizitorët e shumtë në këtë kohë.
HAPU këtë vit hapet me lëvizjet e “Liquid Loft” nga Austria, mjeshtërisht të koreografuara nga Chris Haring duke lëvizur kështu bashkë me ne deri në oborrin e Muzeut të Kosovës dhe prej aty do të jehojnë në kokat tona shumë e shumë gjuhë nga kënde të ndryshme të Evropës, përfshirë edhe gjuhën e regjistruar në Prishtinë, të asociuara me imazhet në lëvizje të krijuara me finesë nga Liquid Loft. Duke vënë në lëvizje trupat dhe duart tona të udhëhequra nga Frank Bölter do të palosim së bashku origami objekte të madhësive reale që lëvizin me ne. Do t’i lëvizim së bashku dhe t’i vendosim në pika, prej ku objektet tona do të kërkojnë me ngulm lëvizjet që duhet bërë për të mirën e përbashkët. Pikënisje tjetër të lëvizjes kemi vendosur në objektin e Fakultetit të Arteve, prej ku do të fillohet udhëtimi juaj artistik, krijuar nga Kunstlabor nga Graci i Austrisë dhe artistët vendorë nga Teatri ODA, duke lëvizur brenda e jashtë zonave “in between” (‘zonave ndërmjet’ në shqip) për të vazhduar këto lëvizje në ditët e para të gushtit në Festivalin La Strada në Grac të Austrisë. Lëvizëse do të jetë edhe nata e fundit me lëvizjet e aktorëve në ulje e ngritje të kompanisë së re NOA dance teatër në bashkëpunim me Teatrin ODA, nën përkujdesjen e mjeshtërisë koreografike të Robert Nuhës.
Lëvizjet e këtij edicioni të Festivalit HAPU janë prodhim i lëvizjeve të shumta gjatë gjithë vitit duke parë e shijuar artistë evropianë e duke lëvizur artin dhe artistët e Kosovës në nivelin evropian në kuadër të partneritetit tonë me IN SITU. Ky partneritet i veçantë na ka frymëzuar për të krijuar e për të vendosur këto lëvizje evropiane në hartën e Prishtinës dhe jemi të sigurt që njëjtë do të ju frymëzojnë edhe juve gjatë lëvizjeve në hapësirën tonë të përbashkët, duke lëvizur kështu bashkërisht qytetin.
Florent Mehmeti, Drejtor Artistik, HAPU – Festivali i Artit në Hapësirë Publike.
IN SITU – Platforma evropiane për krijim artistik në hapësirë publike
Një numër në rritje i artistëve është duke kërkuar që të punojnë jashtë kornizave, në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe komunitetet lokale. Vendimmarrësit dhe autoritetet e planifikimit po lëvizin më shumë në drejtim të mbështetjes së ngjarjeve artistike që ringjallin marrëdhëniet mes artit dhe shoqërisë, duke i bërë më të padukshme ndarjet mes spektatorit dhe banorit, aktorëve dhe pjesëmarrësve, konsumatorëve dhe atyre që ofrojnë art.
Së bashku, anëtarët e IN SITU, një grup programuesish që janë të pasionuar për format e reja të artit dhe hapësirës publike, arrijnë afër një milion spektatorë dhe kanë 15 vite të përvojës së përbashkët. Platforma, e koordinuar nga Lieux Publics, qendra evropiane për krijim, ka për qëllim që të rrisë vizibilitetin në nivel evropian të krijimit artistik në hapësirë publike.
Ekspertiza dhe aktivitetet e IN SITU përfshijnë gjetjen dhe promovimin e artistëve, organizim e projekt laboratorëve dhe inkubatorëve, bashkë prodhimin dhe promovimin e krijimeve të reja, organizimin e konferencave dhe seminareve e të tjera.
Deri tani, IN SITU ka mbështetur mbi 200 artistë evropianë. Mbledh rreth vetes 20 partnerë nga 12 shtete, me formime të ndryshme praktike e estetike, duke kontribuar me vlera jetike në rrjet, secili prej tyre. Pa marrë parasysh nga vijnë anëtarët, nga metropole apo vende rurale, që janë në kërkim të rehabilitimit të vendeve industriale apo ridizajnimit të pejsazheve, qëllimi është gjithnjë për t’i shërbyer artistëve që punojnë në dhe për hapësirë publike.
Teatri ODA është anëtari i vetëm i plotë i IN SITU që vjen nga jashtë Bashkimit Evropian, i përkushtuar për të luajtur një rol të fuqishëm dhe të frytshëm në këtë partneritet të çmuar evropian.
IN SITU ACT 2016 – 2020 është bashkë financuar nga programi ‘Evropa Kreative’ i Bashkimi Evropian.