
Teatri ODA hap thirrjen për pjesëmarrëse në projektin “E përbashkëta: Arti mes gjeneratave” (Common Ground: Art Between Generations), një program që lidh gratë dhe vajzat e reja dhe gratë në pension për të krijuar së bashku art në hapësirë publike dhe vepra artizanale bashkëkohore.
Ky projekt synon të krijojë një hapësirë të përbashkët dialogu, shkëmbimi dhe bashkëpunimi, ku vajzat dhe gratë të brezave të ndryshëm punojnë së bashku përmes punës së bazuar në proces, për të zhvilluar një performancë në hapësirë publike dhe një seri objektesh artizanale me karakter bashkëkohor.
Çfarë përfshin programi?
1. Sesionet e punëtorive (Shkurt – Maj)
Pjesëmarrëset do të marrin pjesë në 10–15 sesione krijuese, ku do të punojnë në:
Bashkëpunim me një grup grash seniore mbi moshën 65 vjeçare, në proceset e krijimit.
Krijimin e një performance në hapësirë publike në Prishtinë (site-specific public performance).
Zhvillimin e veprave artizanale si: bizhuteri, punime tekstili, objekte dekorative, forma të tjera artizanale bashkëkohore.
Shkëmbim njohurish ndër-brezorë dhe të qasjeve të reja artistike.
Punëtoritë do të mentorohen nga ekipi i Teatrit ODA dhe profesionistë që do ta facilitojnë procesin e bashkëpunimit.
2. Procesi i bashkë-krijimit (Prill – Qershor)
Vajzat dhe gratë e reja dhe gratë në pension do të punojnë së bashku për të:
Zhvilluar bashkërisht përmbajtjen e performancës në hapësirë publike, duke integruar elemente artizanale dhe të kujtesës kolektive.
Të finalizojnë punët artistike që do të prezantohen më pas publikisht.
3. Prezantimet publike (Qershor – Gusht)
Në këtë periudhë do të prezentohet publikisht performanca në një hapësirë publike dhe prezantimi final i punës artistike së bashkë-krijuar.
Kush mund të aplikojë?
Thirrja është e hapur për: vajza dhe gra të reja të moshës 18–30 vjeç, përfshirë: artiste të reja, studente, praktikuese të fushave kreative dhe artistike, të interesuara dhe pasionuara në art, të gatshme dhe me vullnet të përfshihen në praktika bashkëpunuese, performancë, punë kreative bashkëpunuese dhe organizative.
Data e fundit për aplikim: 15 janar 2026, 23:59 (CET).
Vegëza e aplikimit: https://forms.gle/UtAyR7GNTpUkseor5.
Pjesëmarrëset e përzgjedhura do të njoftohen deri në fund të janarit.
Ky material/prodhim/publikim është pjesë e projektit #HumanRightivism, që implementohet nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF) me mbështetjen e Ambasadës Suedeze Prishtinë.
Pikëpamjet dhe interpretimet e shprehura në këtë material janë të të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën ose qëndrimin zyrtar të SIDA-së ose qeverisë suedeze.