Të dashur miq të Teatrit ODA,
Në hapësirën e Teatrit ODA kanë filluar punimet për rinovimin e tërësishëm, projekt i iniciuar dhe i financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Teatri ODA, që nga viti 2003, kur ka filluar punën në këtë hapësirë, dhe për këto 22 vjet ka qenë shtëpia jonë e përbashkët, vendi ku kemi ndarë shumë e shumë kujtime e përjetime të bukura, si dhe sfida e vështirësi përgjatë epokave të ndryshme të këtyre dekadave, bashkërisht me komunitetin artistik dhe publikun.
Arti, krijimi, si dhe takimet tona me publikun nuk do të ndalen. Gjatë viteve të ardhshme, përderisa zgjasin punimet e rinovimit, ODA do të vazhdojë punën dhe programin e saj në hapësira alternative, si dhe në hapësira publike në Prishtinë e më gjerë.
Misioni ynë mbetet i pandryshuar: të vazhdojmë punën, të përkushtuar në zhvillimin e artit dhe kulturës në Kosovë e jashtë saj, në krijimin artistik në hapësirën publike, në bashkëpunime ndërdisiplinare, si dhe në iniciativa të edukimit artistik dhe të artit në edukim. Ky përkushtim e fuqizon dhe e pasuron skenën kulturore të vendit, si dhe publikun, të cilit me shumë mund dhe profesionalizëm i shërbejmë.
Shihemi së shpejti!
Me shumë dashuri,
Ekipi i Teatrit ODA