Kthehu mbrapa
Ekipi Produksionit
Regjia: Blerta Neziraj
Aktorë: Armend Smajli, Verona Koxha, Shpëtim Selmani, Kushtrim Qerimi, Afrim Muçaj
Skenografia: Alice Vanini
Kostumet: Njomza Luci
Muzika: Tomor Kuçi
Koreografia: Gjergj Prevazi
Video: Besim Ugzmajli
Ass. Regjisor: Gëzim Hasani
Drejtore arti: Aurela Kadriu
Hulumtues dhe bashkëpunëtor artistik: Agron Demi & Instituti Atlas
Dramaturgjia: Jeton Neziraj
Dritat: Mursel Bekteshi
Mbeshtetje zhvillimore: Sven Skoric
Përkthyese: Alexandra Channer
Koordinimi: Flaka Rrustemi
Mbështetje teknike: Bujar Bekteshi, Adem Salihu, Nikolas Pipero, Arbresha Caka, Njomza Rexha.
Produksion i Qendrës Multimedia.
Shfaqjet
PREMIERË
23.05.2025 / 20:00
Në gjuhën shqipe, me titra në gjuhën angleze
24.05.2025 / 20:00
Vendi
Teatri ODA
Informacione të tjera
Për shfaqjen:
Pikënisja e kësaj shfaqjeje është një histori krimi, e ndodhur 25 vjet më parë, në Prishinën e sapo çliruar që po administrohej nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Sipas të dhënave jozyrtare, mbi gjashtëdhjetë përqind e fshatrave shqiptare të Kosovës janë djegur e shkatërruar gjatë luftës nga ushtria dhe policia serbe. Prandaj, kur përfundoi lufta në qershor të vitit 1999, streha mbi kokë ishte njëra ndër çështjet më emergjente për shumicën e njerëzve. Administrata e Kombeve të Bashkuara nuk kishte zgjidhje të shpejtë për këtë problem. Por ‘zgjidhjen’ e ofruan njerëzit e nëntokës, biznesmenët e kompanitë e ndërtimit që u sulën për ta shfrytëzuar këtë ‘terren të plleshëm’ për përfitime personale.
Një shoqëri e tërë e traumatizuar nga lufta, në një përpjekje epike për t’iu rikthyer jetës, iu nënshtrua pavullnetshëm këtij grupi të nëntokës që u ofronte ‘zgjidhje’ banimi. Prishtina filloi të gëlojë nga ndërtesat që mbinin brenda natës, me cilësi të dobët ndërtimi, pa kurrfarë plani urbanistik e pa përfillur asnjë kriter ndërtimi. Parqet u kthyen në kantierë ndërtimi, hapësira publike u tkurr nga ndërtimet. Shtëpitë e vogla u rrënuan e mbi trojet e tyre mbinë rrokaqiej.
Atëbotë, arkitekti e planifikuesi hapësinor i Prishtinës, Rexhep Luci, pothuajse i vetëm, bënte përpjekje të vinte kontroll urbanistik. Por ajo nuk ishte kohë e njerëzve që mendonin për të ardhmen. Rexhep Luci ishte kërcënuar me jetë disa herë nga njerëzit e nëntokës dhe pastaj më 11 shtator të vitit 2000, në hyrje të banesës së tij në Prishtinë, ishte vrarë nga vrasës të panjohur.
Rexhep Luci është si doktor Stokmani i Ibsenit. Veçse, për të vërtetën e tij për Prishtinën, ai pagoi çmim shumë më të lartë.
Sot çështja e ndërtimeve pa leje në Prishtinë dhe në Kosovë ka marrë përmasa katastrofike. Duke u ndërtuar në to pa plan e pa kontrollë, qytetet tona janë bërë ngulfatëse; hapësirat publike të pasigurta dhe jo miqësore. “PRISHTINA. Vrasja e paralajmëruar e një ëndrre” trajton këto çështje në skenë dhe synon të na ftojë ta rimendojmë raportin dhe përgjegjësinë tonë për qytetin, në një kohë kur ky cikël shkatërrues është institucionalizuar e normatizuar.
Këto mëse 25 vjet pas përfundimit të luftës, qyteti i Prishtinës është shndërruar në një kantier të madh ndërtimi – ndoshta kantieri më i madh në planet. Një qytet paralel, fantazmë, qëndron mbi të si kërcënim për jetën dhe të ardhmen.