MUZA E ZEZË
ELINA DUNI (Shqipëri – Zvicër / Albania / Switzerland)
VLASHENT SATA (Shqipëri – Francë / Albania / France)
Mysafir/Guest
MUZA E ZEZË
‘Muza e zezë’ është albumi i tetë i këngëtares dhe kompozitores Elina Duni por albumi i saj i parë në të cilin ajo prezantohet si kantautore. Këngë pamundësie, fëminie, ironie. Këngë që reflektojnë jetën dhe gjithë nuancat e saj. Toni është jashtëzakonisht bashkëkohor dhe tingulli po aq i kapshëm sa dhe interesant.
Ky projekt është gjithashtu një urë mes Prishtinës dhe Tiranës se muzikantët që shoqërojnë Elinën në këtë aventurë vijnë nga keto dy kryeqytete: Armend Xhaferi në kitarë dhe bas, Enes Bajramliqi në bateri, Gent Rushi në fizarmonikë dhe e-piano, dhe Ermal Rodi ne saksofon dhe klarinetë. Ne besojmë se ky album përfaqëson një risi muzikore dhe një frymë të re në fushën e artit shqiptar.
Elina Duni
Elina Duni, vajza e shkrimtares Besa Myftiu dhe e regjisorit Spiro Duni, lindi në Tiranë në vitin 1981. Ajo ngjitet për herë të parë në skenë në moshën pesë vjeçare, këndon në Radio Televizion ashtu si dhe në Festivalet e Fëmijëve.
Në vitin 1991, shpërngulet në Gjenevë, në Zvicrër, bashkë me mamanë e saj, ku studion pianon klasike dhe zbulon jazz-in. Midis viteve 2001-2009 ajo publikon katër albume muzikore në bashkepunim me artistë të ndryshëm: ‘Live in Tirana’ me Gent Rushin (2002), ‘Harpatic’, ‘Extrangers in the noise’ (2003),
‘Lakuriq’ (2004) dhe ‘I kaltër’ (2009) me grupin Retrovizorja dhe
merr pjesë në projektin filmik ‘Yllka’ (2001) dhe teatral ‘Tre farca nga Tchehov’ e ‘La preuve du contraire’ (2003). Midis 2004 dhe 2008-ës Elina studion për kanto, kompozicion dhe pedagogji në degën xhaz të Shkollës së Lartë të Arteve në Bern. Gjatë kësaj kohe formon grupin Elina Duni Quartet, ku gërsheton këngët folklorike të ballkanit me xhaz-in duke krijuar kështu një tingull të ri e të veçantë që grupi percjellë nëpër festivale të ndryshme në gjithë Evropën dhe në Shtetet e Bashkuara. Kuarteti ka publikuar tre albume ‘Baresha’ (2008), ‘Lume Lume’ (2010) dhe ‘Matanë Malit’ (2012). Në 2014 Elina Duni prezanton albumin e saj të parë solo, si kantautore ‘Muza e zezë’.
Vlashent Sata
Vlashent Sata është këngëtar/kantautor dhe pianist që jeton në Paris, Francë. U lind në një familje artistësh në Tiranë më 1983. Hapat e parë në skenë si këngëtar i bëri në moshën 5 vjeçare. Pasi është vlerësuar me disa çmime për zërin e tij në festivalet e fëmijëve të kohës, ai studion paralelisht pianon në shkollën fillore dhe të mesme të arteve në Tiranë. Pas disa turnesh në Europë si muzikant dhe si student e mbas disa pjesëmarrjesh në emisione e shfaqje të ndryshe në radio e televizion, ai shpërngulet në Francë më 2002 ku edhe diplomohet me gradën solist pianist dhe drejtimin e pedagogjisë. Në vitin 2011 Konservatoret e Parisit e ftojnë të bëhet pianist zyrtar dhe kompozitor i shfaqjeve dhe spektakleve në departamentin e baletit. Pak më vonë Konservatori i Evry
(periferi e Parisit ) e fton të behet profesor i pianos, post të cilin e mban ende sot.
Pas arritjeve dhe eksperiencave si muzikant dhe pedagog, si kompozitor për pjesë baleti, krijimin e muzikës së disa pjesëve teatrale dhe muzikë filmi, ai fillon një karrierë si këngëtar/kantautor. Ka marrë pjesë në disa festivale të muzikës së lehtë në Tiranë dhe konsiderohet si një nga kantautorët bashkëkohor me talent sa i perket stilit të tij individual dhe ndërthurjes që bën midis muzikës folk, pop, jazz, filtruar kjo nga veshi i një muzikanti klasik.
Rezervoni vendin tuaj duke na kontaktuar në Facebook dhe Instagram / Duke shkruar në 038/49 246 555 ose thirni 038/49 246 555