Hapu.me Gjakovën e Prishtinën dhe zhytu në lojë!
Të nderuar eksplorues të hapësirës publike,
HAPU po ndodh këtë vit për të njëmbëdhjetën herë! Përveç Prishtinës, po hapemi edhe në Gjakovë duke bashkëpunuar me Iniciativën e Fondacionit “Për Gjakovën”. Kemi shtrirë programin tonë më 1 dhe 2 gusht në Gjakovë, e nga 2 deri më 5 gusht në Prishtinë. Kështu po zhytemi në lojën e artistëve nga Franca, Gjermania e Portugalia të cilët me mjeshtërinë e tyre të jashtëzakonshme do të transformojnë hapësirat publike në hapësira artistike, të guximshme, kreative e shumë dimensionale.
Elementet e cirkut bashkëkohor, do të hapin këtë edicion të festivalit, përmes një performance magjepsëse të Juan Ignacio Tula. Duke manipuluar me rrethin e madh dhe rrotullimet e tij pafund, frymëzuar nga rrotullimi i dervishëve, do të na zhysin në një përvojë të veçantë. Performanca na fton në një rrugëtim të përjetimeve universale e personale dhe gjithçka që ekziston ndërmjet tyre.
Bashkë do të palosin origami, por jo të zakonshme. Figura origami gjigande, të madhësisë reale të Frank Bölter, bashkërisht do i palosim. Krijimet tona origami do t’i përcjellim e festojmë me njëri-tjetrin dhe në fund, do t’i transformojmë, ripërdorim e riciklojmë.
Do të zhytemi në lojën e artistëve francez nga Tac o Tac, në kërcimet e tyre në kingalat me pneumatikë, do t’i përcjellim e do të ri-përjetojmë rrugët e Gjakovës dhe Prishtinës, në një atmosferë të tjetërsuar, në një ri-zbulim të qiellit, të gatshëm për fluturim.
Loja e Mimo’s Dixie Band do të na sjellë tingujt e veçantë që do të na përfytyrojnë rrugët e vjetra të Nju Orlinsit. Do të na dhurojnë lojën e përbashkët me publikun, me elemente cirku e teatri si dhe me energjinë e tyre mahnitëse duke e sjellë publikun në qendrën e vëmendjes.
Jemi të lumtur që mund të organizojmë për ju një spektakël të veçantë në vendet e ndryshme të hapësirës së Prishtinës e Gjakovës, që të përjetojmë magjinë që artistët e sjellin duke na shndërruar hapësirat publike për ato çaste që do t’i kalojmë së bashku.
Hapuni, dilni dhe takoni artistët! Luani, përjetoni transformimin, bëhuni pjesë e këtij ri-zbulimi dhe dëshmitarë të mahnitjes. Ju presim!
Florent Mehmeti, Drejtor Artistik, HAPU – Festivali i Artit në Hapësirë Publike
Rezervoni vendin tuaj duke na kontaktuar në Facebook dhe Instagram / Duke shkruar në +383 (0) 49 246 555 ose thirni +383 (0) 49 246 555