Kthehu mbrapa
Rreth Ngjarjes
Nismë teatrore që eksploron degradimin e demokracisë dhe ngritjen e regjimeve populiste-nacionaliste dhe autoritarizmit në Evropë.
Krijuar nga një kolektiv ndërkombëtar teatror me artistë/e nga Kosova, Turqia dhe vende të tjera të BE-së
Performuar në shqipe, anglishte dhe turqishte.
Ekipi Produksionit
Aktorë/e: Adrian Morina, Ernest Malazogu, Shpetim Selmani, Verona Koxha, Albina Krasniqi, Don Shala
Skenografe: Alice Vanini / Koreograf: Gjergj Prevazi / Kompozitor: Gabriele Marangoni / Kostumograf: Blagoj Micevski / Dizajnerë të dritave: Fabrizio Visconti, Yann Perregaux / Kukullat dhe hijet: FANTASMAS / Asistent regjie: Sovran Nrecaj / Drejtore arti: Aurela Kadriu / Hulumtimi: Latra Demaçi / PR dhe komunikim: Natasha Tripney / Mbështetje zhvillimore: Sven Skoric / Përkthyese: Alexandra Channer / Koordinimi: Flaka Rrustemi / Mbështetja teknike: Nikolas Pipero, Bujar Bekteshi, Adem Salihu, Lulzim Rexha
Shfaqjet
PREMIERE
16.10.2024 / 20:00
17.10.2024 / 20:00
18.10.2024 / 20:00
Vendi
Teatri ODA
Informacione të tjera
Në vitin 2018, gjashtë mësues turq u arrestuan në Kosovë dhe u deportuan në Turqi. Lejeqëndrimet e tyre të lëshuara nga shteti i Kosovës u revokuan mbi argumentin e supozuar se përbënin rrezik për sigurinë kombëtare. Gjashtë burrat kërkoheshin në Turqi për shkak të gjoja lidhjeve të tyre me klerikun në ekzil Fetullah Gulen, lëvizja e të cilit fajësohej nga shteti turk për grusht shtetin e dështuar të vitit 2016. Dhjetra e mijëra mbështetës të dyshuar të Gulenit janë arrestuar apo kanë humbur vendet e tyre të punës në Turqi që nga grusht shteti i dështuar. Shumica janë deklaruar të pafajshëm. Guleni e ka mohuar se ai dhe mbështetësit e tij janë prapa përpjekjes për rrëzimin e qeverisë së Erdoganit.
Kur televizionet në Kosovë dhanë pamjet e shtetasve turq të arrestuar, njerëzit pyesnin me të drejtë; si ishte e mundur që në një shtet demokratik, siç proklamonte se ishte Kosova, të ndodhte një rrëmbim i këtillë, mafioz, që sigurisht po kryhej me dijeninë dhe autorizimin e krerëve të shtetit. Rrëmbimi dëshmoi brishtësinë e institucioneve të shtetit në Kosovë, të cilat janë rob i hegjemonive politike e ekonomike të shteteve të fuqishme. Por incidenti është edhe një mësim për të gjithë ne: që autoritarizmi nuk është një ‘ishull i izoluar’, ai ka tendencë të kopjohet e importohet, mu siç ndodhte dikur me fashizmin.
Që nga ardhja në pushtet në vitin 2002, Recep Tayyip Erdogan ka mbikëqyrur një transformim radikal të Turqisë, që i ka hapur udhë një udhëheqjeje të stilit “një njeri i vetëm”. Sipas Institutit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore, numri i shteteve që po lëvizin kah autoritarizmi është më shumë se dyfishi i atyre që po lëvizin kah demokracia ndërkohë që regjimet autoritare në botë e kanë thelluar shtypjen e tyre.
E frymëzuar nga “Të shtatët kundër Tebës”, shfaqja jonë përmban një shikim të nuancuar në Turqinë e Erdoganit dhe shtron pyetje se pse shoqëritë e themeluara mbi parimin e pluralizmit dështojnë të mbajnë premtimet e veta? Pse shumë politikanë sot po shkojnë gjithnjë e më shumë kah ideologjitë shtypëse?
“Të gjashtët kundër Turqisë” shtron pyetje kohërisht relevante në lidhje me shtrirjen e regjimeve shtypëse edhe përtej kufinjve. Kjo nuk është një shfaqje për njerëzit e thjeshtë që i kundërvihen një qeverie a një shteti, por është shfaqje për qeveritë a shtetet autoritare që duke ndjellur terror, dhunë, përndjekje e luftë, i çojnë në shkatërrim njerëzit e vet.
Ndjeshmëria e kësaj çështjeje në Turqi – dhe jo vetëm – nënkupton se edhe rrugëtimi deri tek bërja e kësaj shfaqjeje në Kosovë nuk ka qenë i lehtë, madje sfidues.
“Të gjashtët kundër Turqisë” është shkruar nga Jeton Neziraj, një nga dramaturgët kosovarë më të njohur ndërkombëtarisht. Dikur Drejtor Artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Neziraj ka shkruar mbi 20 drama dhe punët e tij janë luajtur në festivale të teatrit nëpër Evropë dhe në SHBA. Revista gjermane e teatrit Theater der Zeit e ka përshkruar atë si ‘Kafka i Ballkanit’.
Blerta Neziraj është regjisore e shfaqjes. Prodhimet e saj për Qendrën Multimedia kanë udhëtuar ndërkombëtarisht në vende si Lozanë, Milan, Vjenë, Hamburg, Lion, Bern dhe Nju Jork. Para disa muajsh këtë vit, ajo ka bërë regjinë e një varianti të ri të Balkan Bordellos në Uppsala, Suedi. Ajo është alumna e Lincoln Center Theatre Directors Lab. Çmimet e saj përfshijnë “Regjisorja më e mirë” në Kosovë në vitin 2020.
Qendra Multimedia është organizatë kulturore nga Prishtina, Kosova e përqendruar në teatër dhe letërsi bashkëkohore. Si kompani teatri, Qendra Multimedia ka fituar reputacion për prodhimin e disa prej punëve më provocative dhe kohërisht relevante në Evropën Juglindore me shfaqje që gjithmonë ngrisin debate tek audienca. Qendra Multimedia ka bashkëprodhuar me kompani teatrore nga Evropa dhe SHBA, ku përfshihen Volksbühne Berlin dhe LaMaMa në Nju Jork.
“Të gjashtët kundër Turqisë” vjen pas turneve të suksesshme të Qendrës Multimedia me shfaqjet Negotiating Peace në vitin 2023 e 2024, The Handke Project në 2022 e 2023 dhe Balkan Bordello, e cila ishte në turne në Kosovë, Serbi e Shqipëri para se të luhej në La MaMa në Nju Jork në vitin 2021. Puna e Qendrës Multimedia rregullisht mbulohet nga mediet ndërkombëtare si The New York Times (SHBA), The Guardian (Mbretëri e Bashkuar), Der Spiegel (Gjermani), La Repubblica (Itali), Theater Heute (Gjermani) dhe The Stage (Mbretëri e Bashkuar).
“Të zhurmshme, të guximshme dhe absurdiste (dramat e tij) sjellin në mend Ibsen-in, Molière-in dhe Kafka-n, ndërsa shpërthejnë kundër korrupsionit dhe padrejtësisë.” The Guardian për Jeton Nezirajn
“Teatër politik për kohët kur politikanët vërtet zhgënjejnë”. Exeunt për punën e Blerta Nezirajt
@qendramm | https://qendra.org/en/