Hapu, zbulo dhe rizbulo!
Të nderuar zbulues dhe eksplorues,
Është hera e dhjetë! Po hapemi, edhe një herë po e rizbulojmë Prishtinën. Në shumë pika anembanë qytetit, ju ftojmë të zbuloni ide kuptimplota dhe të guximshme, shqetësime si dhe të rizbuloni qoshet, vendet dhe hapësirat e Prishtinës. Këtë po e bëjmë me artistë nga Evropa dhe Bota, me partneritetin tonë me IN SITU dhe partnerët, tashmë që 13 vite.
Ne po transformojmë përkohësisht hapësira që vizitorët të rizbulojnë veten e tyre dhe atë që i rrethon. Në një barnatore përkohësisht të instaluar të Eva Bubla në Pallatin e Rinisë do të mund të zbuloni kurat e Nënës Natyrë për njerëzit dhe format e jetës më shumë se njerëzore. Ju mund të përjetoni tingujt e Donika Rudit që thërrasin zëshëm për ndikimin kritik të ndotjes së ajrit në shëndetin tonë dhe mjedisin. Takohuni me Atlasin, kllounin në rrugës Nënë Tereza dhe rizbuloni se si të miqësoheni me pëllumbat, drunjtë dhe krijesat e tjera.
Këtë herë, ju ftojmë të zbuloni poezinë dhe lozonjaren e rrugës Nënë Tereza përmes [Kornizës] të Electrico28, ku jeni të ulur në një karrige, të privilegjuar me atë që vetëm ju mund të dëgjoni prej përditshmërisë që ndodh. Më vonë, ndaluni, mendoni për një çast dhe rizbuloni atë që Juan Ignacio Tula zbuloi përmes rrotullimit të përsëritur të rrotës së tij, duke na udhëhequr në një kërcim dervishësh dhe në një kërkim të pafund për të përbashkëtën universale dhe personale.
Nëse doni të ndani bashkërisht, atëherë hapuni, ndani me ne një gjest, zbuloni Sauf Le Dimanche dhe ata do t’ju kthejnë një kërcim të veçantë vetëm për ju, duke rizbuluar gjestin tuaj. Ata po e ndajnë kërcimin e tyre bashkërisht edhe me miqtë tanë në Shtëpinë e të moshuarve, duke rizbuluar baladën, ku secili gjen ritmin e tij e të saj në një puhizë të lehtë kërcimi. Një kujtim, përjetësia dhe fundshmëria mund të rizbulohen me Cristina Madonaldo në Parkun e Qytetit, ku në një ambient të rehatshëm mund të përfshiheni së bashku në një udhëtim të brendshëm përplot me zbulime.
Rizbulimi i bashkëbanuesve të hapësirës sonë publike, të bashkëqytetarëve nuk mjafton asnjëherë. Këtë herë ju ftojmë në ODA, në një mjedis më të strukturuar për të rizbuluar të përbashkëtën me të panjohurit. E krijuar nga 600 Highwaymen, ky akt i mbledhjes është një përjetim i dirigjuar nga kartolinat dhe i inskenuar nga ju dhe njerëzit e tjerë që i takoni në hapësirën tonë të përbashkët të jetës tonë të përditshme.
Jemi shumë të lumtur që mund t’ju propozojmë shumë mënyra zbulimi e rizbulimi. Hapuni, ejani jashtë dhe frymëzohuni, na zbuloni në shumë vende e kohë të ndryshme të shtrira në programin tonë.
Mezi po presim për këtë bashkë-rrugëtim zbulues që do të mbahet mend.
Florent Mehmeti, Drejtor Artistik, HAPU – Festivali i Artit në Hapësirë Publike