Sërish po hapim portat artistike të hapësirës publike në Prishtinë. Prej 20-23 korrik ju mirëpresim me punë artistike që kanë për bazë bashkëpjesëmarrjen tuaj. Këtë vit tema e pjesëmarrjes së publikut dhe bashkë-krijimit ka qenë fokusi i punës tonë gjatë gjithë vitit. Ky Festival është përmbledhje e punëve të Teatrit ODA në kuadër të rrjetit IN SITU – rrjetit evropian të krijimit në hapësirë publike, ku së bashku me partnerët tjerë kemi zhvilluar e promovuar punë artistike që bazohen në bashkëpjesëmarrje me publikun. Në këtë frymë gjatë muajit prill të këtij viti Teatri ODA ka qenë nikoqir i 7 artistëve dhe producentë nga Evropa të cilët së bashku kanë zhvilluar 7 ide artistike që bazohen në pjesëmarrjen e publikut. Artistja e Teatrit ODA për këtë vit e prezantuar në IN SITU është Agnes Nokshiqi me projektin “I dance you” që do të mund ta përjetoni gjatë Festivalit. Për t’i dhënë dimensione tjera përfshirjes së publikut është eksperiencë e veçantë pjesëmarrje në “Misionin e Ruzveltit” në karrocën e invalidit duke pasur qytetin si spektator të kësaj simbolike që na takon të gjithëve. Në “Kodin e zhvozitjes” do të mund të mësoni sjelljet tona në zonën Schengen pas liberalizimit të vizave. Nën mbikëqyrjen e instruktorëve francezë nga x/TNT ju do t’i përjetoni artistikisht këto mësime në mënyrën më të mirë të mundshme. “Rruga e botës së lirë” mund të zbulohet në Prishtinë me ndihmën e aktorëve duke u nisur nga Sheshi Zahir Pajaziti dhe duke zbuluar një botë të fqinjëve fiktivë që kanë të përbashkëta qasjet e tyre ndaj lirisë njerëzore.
Synimi jonë ka qenë që të hapim hapësirën publike për publikun dhe artistët e Kosovës. Në hapjen e Festivalit do të prezantojmë me një paradë artistike krijimin kolektiv me banorët e Keçekollës, Kodrës së Trimave dhe Kodrës së Diellit. Momentet, emocionet dhe kujtesa e këtyre banorëve kanë krijuar “NE”, krijimin tonë të përbashkët që do ta kremtojmë së bashku në hapjen e Festivalit.
Shpresoj të shijoni Festivalin gjatë këtyre ditëve inspirative e kreative, përderisa ne mbesim të përkushtuar për të vazhduar punën duke krijuar e prezantuar punë artistike kualitative edhe në vitet ne vazhdim.
Florent Mehmeti, Drejtor Artistik, HAPU – Festivali i Artit në Hapësirë Publike.
IN SITU PLATFORMA 2014 – 2017 dhe ACT 2016 – 2020
Platforma evropiane për krijim artistik në hapësirë publike
IN SITU mbledh një grup programuesish që kanë pasion për forma të reja të artit dhe për hapësirën publike. Ata janë duke punuar së bashku që nga viti 2003 duke zhvilluar projekte të përbashkëta evropiane.
Ekspertiza dhe aktivitetet e IN SITU mbulojnë gjetjen dhe promovimin e artistëve, organizimin e projekteve laboratorë dhe inkubatorë, bashkë prodhimet dhe promovimet e projekteve të reja, organizimin e konferenca dhe seminareve etj.
Deri tani, IN SITU ka përkrahur mbi 180 artistë evropianë. Mbledh rreth vetes 26 partnerë nga 17 shtete me praktika e estetika të ndryshme, të cilët të gjithë kontribuojnë diçka jetike për rrjetin. Pa marrë parasysh nga vijnë anëtarët, nga metropole apo vende rurale, që janë në kërkim të rehabilitimit të vendeve industriale apo ridizajnimit të pejsazheve, qëllimi është gjithnjë për t’i shërbyer artistëve që punojnë në dhe për hapësirë publike.
IN SITU po punon në dy projekte komplementare:
IN SITU PLATFORMA është një nga platformat e para të përzgjedhura nga Komisioni Evropian nën programin e Evropës Kreative (“Creative Europe programme”), ka për qëllim to spikasë dhe promovojë artistët që sjellin risi e që punojnë jashtë vendeve konvencionale dhe kontribuojnë në transformimin e territoreve tona.
IN SITU ACT, një projekt bashkëpunimi i përmasave të mëdha që mbledh 20 partnerë shumica prej Evropës do të financohet për 4 vjet pas lansimit zyrtar në Nëntor 2016 deri në fund të vitit 2020. Ambicia e këtij projekti është të jetë një mjet evropian për strukturimin e krijimit artistik në hapësirë publike.
Art i ri për vende të reja
Art Kontekst Territor
www.in-situ.info