Mediat për ngjarjet

“Bark Tupani” për mafinë e Kosovës, sonte premierë në ODA

Prishtinë, 30 tetor - Ngjarja zhvillohet në New Yorkun e vitit 1969. Një grup që merret me punë të pista ballafaqohet me pasojat e të bëmave të tyre. Këtu përfshihet mafia irlandeze, por shfaqja flet me gjuhen e realitetit kosovar.

“Bark Tupani”, me tekst të aktorit dhe dramaturgut irlandez Richard Dormer, dhe me regji të Lirak Çelajt, vjen premierë për publikun kosovar të enjten (sot). Asistent i Çeljat është Agush Mulliqi.

Bashkë me Çelajn edhe tetë aktorë të tjerë - të gjithë meshkuj - sjellin këtë komedi të zezë në skenën e teatrit “Oda”: Armend Baloku, Besart Sllamniku, Besart Zeneli, Nëntor Fetiu, Ernest Zymberi, Kushtrim Qerimi, Labinot Raci, Vedat Haxhiislami. Personazhet janë të ndryshëm, përmes së cilëve shpalosen historitë dhe të bëmat e tyre. Ata gënjejnë, korruptohen, madje edhe vrasin njerëz. Në vitin kur zhvillohet ngjarja, njeriu i parë do të shkelte në Hënë. Rrëfimi nis e shpaloset duke tërhequr një paralele midis këtij momenti historik dhe ligësisë njerëzore.

Këto informacione u shpalosën të mërkurën në një konferencë për media në ambientet e teatrit “Oda”. Çelaj thotë se inskenimin e këtij teksti e ka parë në një teatër në Irlandë. E kjo do të bëhej sebep që atë ta sjellë edhe në Kosovë. Sipas tij, ngjarja e cila trajtohet në këtë shfaqje dhe sjellja e këtyre personazheve përkon edhe me mafinë shqiptare.

“Personazhet vazhdimisht thirren në patriotizëm, thirren në vlera kombëtare, se janë trima e në emër të kësaj bëjnë vrasje dhe krime, në mënyrë shumë të pashpirt. Ata e trajtojnë veten si viktima, se si e gjithë bota u ka borxh për hjekat e tyre”, ka thënë Çelaj.

Besart Sllamniku, i cili luan rolin e një 50-vjeçari, me këtë rast ka thënë se teksti kryesisht bazohet në lojën e aktorëve. Ai e pranon se roli i tij ka qenë sfidues.
“Kjo shfaqje më ka pëlqyer dhe e falënderoj Lirakun që ma ka besuar këtë rol. Personazhi im ka qenë goxha sfidues për mua”, ka thënë Sllamniku.

Projekti është përkrahur me 10 mijë euro nga Ministria e Kulturës. Por sipas Çelajt, teatri “Oda” po vazhdon të përballet me probleme financiare. Sipas tij, ky teatër ka kapacitet që të prodhojë më shumë shfaqje, po të kishte më shumë buxhet.
“Ne prodhojmë shumë në krahasim me buxhetin që marrim nga institucionet dhe fondet e tjera. Përveç Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës, nuk kemi fonde të tjetra të cilat financojnë prodhimin dhe realizimin e shfaqjeve”, ka thënë Çelaj, i cili u ka bërë thirrje institucioneve për mbështetje më të madhe për teatrin.

Kësaj thirrjeje i janë bashkuar edhe aktorët e tjerë në konferencë.
Nëntor Fetiu, i cili luan rolin e një polici të korruptuar, ka thënë se nuk po kanë raste që të bashkëpunojnë me kolegët e rinj. Kjo për shkak të numrit të vogël të shfaqjeve që po realizohen.
“Nuk është roli i parë, por ajo që më bren mua si aktor është se ky teatër nuk ka përkrahje më të madhe. Këtu janë disa kolegë me të cilët do të bashkëpunoj për herë të parë. Nuk po kemi raste aq shumë që të bashkëpunojmë e ky është mëkat. Përkrahja duhet me qenë më e madhe”, ka thënë Fetiu.

Armend Baloku nuk ka folur shumë për shfaqjen, por ka bërë thirrje që të ndryshojë qasja e institucioneve ndaj teatrit.
“Pas luftës teatri në shoqërinë e Kosovës nuk ka zënë vend. Ndoshta edhe ne kemi qenë të pafuqishëm ta ngremë zërin në mënyrë ekipore, si njerëz që i takojnë një fushe të rëndësishme në Kosovë. Po besoj që cilado qoftë arsyeja, duhet ta ngremë zërin dhe ta ndryshojmë këtë qasje”, ka thënë Baloku, i cili shpreson se publiku do ta pëlqejë “Bark Tupanin”.

© KOHA Ditore 

http://koha.net/?id=4&l=31346

Këtë javë në ODA

E hëne

E martë

E mërkurë

E enjte

E premte

E shtunë

E diel

Ngjarjet e Ardhshme

25.03.2024

E hëne

26.03.2024

E martë

27.03.2024

E mërkurë

28.03.2024

E enjte

29.03.2024

E premte

30.03.2024

E shtunë

31.03.2024

E diel

ODA përkrahet nga